Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Rimëkëmbjen ekonomike po e bëjmë me praktikë e jo slogane

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në konferencën e sotme për media bashkë me ministrat Hymete Bajrami dhe Muharrem Nitaj, ka folur pwr fondin e të vetëpunësuarwve që është pjesë e pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Ai tha se ky fond do ketë vlerë deri në 6.5 milionë euro dhe vlen për 15 mijë të vetëpunësuar.

Hoti tha se rimëkëmbjen ekonomike po e realizojnë në praktikë e jo me slogane duke përmendur disa prej fondeve edhe nga viti 2020.

“Ministria e financave sot ka bërë ekzekutimin e 6.5 milionë eurove që është pjesë e pakos tonë për rimëkëmbje ekonomike. Nga këto pagesa do përfitojnë 15 mijë të vetëpunësuar. Gjatë vitit 2020 kemi përfunduar me pakon e parë të masave. Rimëkëmbjen po e realizojmë në praktikë e jo me slogane. Tani kemi filluar të ekzekutojmë pakon për vitin 2021 në shumë prej 222. 4 milionë euro. Kemi ekzekutuar pensionet për mbi 170 mijë qytetarë me rritje prej 30 për qind, asistencën sociale vazhdojmë ta mbajmë të dyfishuar”, ka thënë Hoti.

Hoti tutje foli edhe për vendimin e djeshëm që të debllokohen llogaritë e bizneseve private nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës dhe heshtjen e ndëshkimeve.

“Vendimet që janë marrë dje për debllokimin e llogarive të bizneseve private nga ana e ATK-së deri me 30 prill 2021, janë bërë në mënyrë që bizneset të qarkullojnë dhe kryejnë obligimet që i kanë si dhe heshtjen e ndëshkimeve me disa specifika të caktuara”, shtoi tutje Hoti.