Foto: Avdullah Hoti/ Facebook (Video)

Hoti: Reduktimet e rrymës po na kthejnë në kohën e pasluftës

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas paralajmërimeve për reduktimet e energjisë elektrike që janë paralajmëruar nga KEDS-i.

Sipas Hotit, reduktimet e rrymës do të kthejnë situatën e pasluftës në Kosovë. Kurse debati për lejimin e shamisë në shkolla e kthen situatën e pas Luftës së Dytë Botërore.

“Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e javëve të fundit. Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk iu kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar ai.

Hoti ka thënë se askush nuk ia ka borxh kthimin e jetës në dekada mbrapa.

Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës.

Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët.

Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.

Sot fillojnë reduktimet e rrymës në Kosovë