Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti reagon pas tërheqjes së amerikanëve nga monitorimi i zgjedhjeve në KPK

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas njoftimit të Ambasadës amerikane se janë tërhequr nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryeprokurorëve të rinj.

“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht”, ka thënë Hoti.

Ai tutje në Facebook ka shkruar edhe se proceset transparente të zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së pa konflikt interesi sigurojnë përzgjedhje me meritë.

“Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, ka shkruar Hoti.

KALLXO.com raportoi sot se Ambasada Amerikane në Kosovë është tërhequr nga procesi i monitorimit të zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së.

Ambasada ka thënë se ky proces “është prishur rrënjësisht”.

“Për vite, Ambasada Amerikane ka luajtur një rol monitorues dhe mentorues në proceset për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe për të zgjedhur Kryeprokurorët. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë prishur rrënjësisht”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada amerikane tërhiqet nga monitorimi në Këshillin Prokurorial, e quan procesin të thyer