Foto: ZKM

Hoti raporton në Komisioni për të Pagjeturit, deputetet e LVV-së thonë se ai nuk solli asgjë të re

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka raportuar sot para Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Ky takim ishte thirrur nga kryeministri Hoti për të informuar anëtarët e këtij Komisioni rreth çështjes të të pagjeturve.

Hoti tha se janë duke bërë të pamundurën që të  ndërmerren të gjitha hapat në lidhje me këtë çështje.

“Sapo mbaruam mbledhjen e Komisionit parlamentar për të Pagjeturit me të gjithë ekipën që po punon për personat e pagjetur. Kjo është çështja më e  ndjeshme dhe po e bëjmë të pamundrën që të ndërmerren të gjitha aktivitetet”, tha ai.

Për media u deklaruan edhe deputetet e Lëvizjës Vetëvendosje, Saranda Bogujevci dhe Fjolla Ujkani.

Ujkani tha se për fat të keq raportimi i kryeministrit nuk ka dhënë ndonjë risi.

“Progresi i vetëm është marrja pjesë e tij sepse ftesat e kaluara ai i ka refuzuar radhazi. Për fat të keq asgjë nuk ka qenë ndonjë risi, nuk ka pasur diçka të re sa i përket asaj se çka ka thënë në Kuvend”, tha ajo.

Ndërsa deputetja Bogujevci tha se janë të shqetësuar rreth mënyrës së trajtimit të temës së të pagjeturve në dialogun Kosovë-Serbi.

“Sa i përket dialogut me Serbinë mbesim të shqetësuar rreth trajtimit të kësaj teme. Kemi kërku sqarime shtesë, nuk kemi marrë një përgjigje konkrete”, theksoi Bogujevci.