Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Qeveria, përveç që nuk i zbaton projektet e veta kapitale, i ka penguar edhe komunat

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria përpos që nuk po i zbaton projektet e veta, i ka penguar edhe komunat në zbatimin e tyre.

Sipas tij, komunat kanë pritur me muaj për kërkesat e tyre për bartje dhe ridestinim të mjeteve, derisa kur është bërë kjo gjë, ka qenë vonë.

“Kërkesat e komunave për bartje dhe ridestinim të mjeteve vetanake kanë pritur me muaj për miratim nga Ministria e Financave, duke humbur muajt e verës kur është koha optimale për kryerjen e projekteve kapitale. Kur janë miratuar kërkesat, është bërë tepër vonë për të kryer procedurat e prokurimit dhe zbatuar ato projekte brenda vitit” – ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti shtoi se është e drejtë ekskluzive e komunave për të vendosur se për çfarë do t’i përdorin të hyrat vetanake, derisa, kërkesat për bartje të të hyrave vetanake, sipas tij, miratohen sipas procedurave formale ligjore dhe nuk i nënshtrohen diskrecionit të Ministrit të Financave.

Mënyrë tjetër e pengimit të komunave në projekte kapitale, sipas ish-kryeministrit, ka qenë edhe mbajtja e Organit Shqyrtues të Prokurimit të bllokuar shumë gjatë.

“Qeveria e ka mbajtur të bllokuar shumë gjatë Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke bllokuar shumë projekte kapitale për të cilat ka pasur ankesa. Kjo e ka vonuar edhe më tutje zbatimin e projekteve kapitale qendrore dhe lokale” – shtoi më tej ai.

Avdullah Hoti theksoi se shpenzimet kapitale të nivelit qendror janë në nivelin më të ulët historikisht prej 9%. Ndërkaq, potencoi se sot në Pejë, Qeveria u kërkoi kryetarëve të komunave t’u bëjnë presion kompanive që të kryejnë punët në terren për projekte që janë të komunave.

Kryeministri Albin Kurti ka thirr sot në takim kryetarët e komunave, krejt kjo me qëllim të koordinimit ndërinstitucional mes Qeverisë dhe pushtetit lokal.