Hoti: Qeveria mund ta përgjysmojë TVSh-në në naftë dhe të mbledhë njësoj të hyra buxhetore

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se kur çmimi i naftës në treg ishte 1 euro, Qeveria mblidhte 0.14 euro TVSh për litër të naftës.

Ndërkaq, sipas tij tani çmimi naftës sillet rreth 1.85 Euro, Qeveria mbledh 27 centë TVSh për litër, që është sipas tij gati dyfish më shumë ngarkesë me TVSh për qytetarin.

“Rrjedhimisht, Qeveria do të mund të përgjysmonte TVSH-në në naftë dhe prapë të mblidhte njësoj të hyra buxhetore. Pse nuk është bërë kjo deri më sot? Si mund të krenohet Qeveria për rritje të të hyrave kur kjo rritje vjen nga rritja e çmimit në kurriz të qytetarit”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka përmendur edhe marzhat tregtare.

“Le të supozojmë se marzhat tregtare kanë qenë edhe më herë 4% me shumicë dhe 6% me pakicë. Kur çmimi i naftës ishte 1 Euro, shitësit me pakicë kishin marzhë tregtare prej 4 centë dhe shitësit me shumicë 6 centë. Tani me rritjen e çmimit në rreth 1.85 Euro, këto marzha janë 7 centë për shitje me shumicë dhe 10 centë për shitje me pakicë. Është e qartë se vendimi i Qeverisë gati i ka dyfishuar marzhat tregtare në terma të vlerës në Euro për litër të naftës”, theksoi Hoti.

Hoti ka shkruar se rritja e të hyrave buxhetore ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të naftës dhe mallrave të tjera.

“Si ka mundësi që për 5 muaj rritje të çmimeve nuk ndërmerret asnjë masë që do të ulte barrën për qytetarë”, tha ai.

Hoti ka treguar se LDK-ja ka dorëzuar prapë propozimet në Kuvend për masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria për të zbutur barrën për qytetarë nga rritja e çmimeve, në veçanti për naftë, i cili sipas tij ndikon në çmimet e të gjitha mallrave të tjera përmes rritjes së kostove të prodhimit dhe transportit.

Lidhur me kërkesat për ulje të TVSh-së dhe akcizës së naftës ka reaguar ministri i Financave Hekuran Murati.

Ai ka thënë se thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.

Ministri i Financave, deklarohet për uljen e TVSh-së dhe akcizës së naftës