Hoti: Qeveria është në proces të aktivizimit të memorandumit me Ambasadën britanike për rekrutim
Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se Qeveria është në proces të riaktivizimit të Memorandumit të bashkëpunimit me Ambasadën e Britanisë së Madhe, që i kushtohet fuqizimit dhe pavarësimit të agjencive të pavarura.
Përveç kësaj, Hoti ka thënë se Qeveria ka kërkuar që pjesë e këtij bashkëpunimi të jetë edhe Ambasada e ShBA-së.
“Qeveria e Kosovës ka kërkuar që pjesë e këtij bashkëpunimi të jetë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim që procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të agjencive publike të jetë profesional, transparent dhe i pandikuar”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më tej Hoti ka thënë se Qeveria është e vendosur të garantojë paanshmëri dhe transparencë të plotë.
“Qeveria e Kosovës është e vendosur që të mos lejojë asnjë ndërhyrje në procesin e përzgjedhjes së profesionistëve në konkurset publike, duke garantuar paanshmëri dhe transparencë të plotë”, ka përfunduar Hoti.
Në vitin 2017, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli kishin nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me Ambasadën britanike në Prishtinë për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.
Qëllimi i Memorandumit të Mirëkuptimit ishte që, në pajtim me legjislacionin në fuqi, të mbështeten përpjekjet e përbashkëta për të siguruar fuqizimin, pavarësinë, meritokracinë dhe profesionalizmin në procesin e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese në shërbimin civil dhe bordeve të ndërmarrjeve publike. Palët nënshkruese, kryeministri dhe kryeparlamentari, në memorandum zotoheshin se do të zbatojnë rekomandimet që do t’i japin ekspertët britanikë.
Sa i përket nivelit qendror, Memorandumi i parë i Mirëkuptimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike në Kosovës ishte nënshkruar më 11 tetor 2017 me kohëzgjatje deri më 31 mars 2018.
Më pas, memorandumi i dytë ishte nënshkruar më 24 gusht. Kohëzgjatja e këtij memorandumi është deri më 31 mars të vitit 2020.
Me memorandumin e parë janë zgjedhur 21 pozita drejtuese kurse me të dytin 22 pozita të tjera. Ambasada Britanike ka angazhuar një partner të jashtëm zbatues (Kompani e specializuar nga Britania) për të ndihmuar në proceset teknike të rekrutimit për pozitat e lira të larta të identifikuara.
Përveç kësaj, partneri zbatues ka monitoruar dhe këshilluar institucionet vendore dhe ka ofruar rekomandime për komisionet e rekrutimit dhe praktikat më të mira të rekrutimit.