Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Qeveria aktuale dialogun për njohje reciproke e degradoi në dialog për tabela të veturave

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për, siç ka thënë, braktisje të dialogut (me Serbinë) për njohje reciproke, të cilin tha se Qeveria e tij e kishte kornizuar shumë qartë.

“Samiti i Parisit (në korrik 2020), Marrëveshja e Uashingtonit (në shtator 2020) dhe shumë takime bilaterale me vendet e Quintit, e kornizuan qartësisht dialogun sa i përket qëllimit, përmbajtjes dhe kohës të arritjes së marrëveshjes finale, si dhe e detyruan Serbinë të nisë procesin e arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, Qeveria aktuale në vend që të insistonte në mbyllje të dialogut me njohje reciproke, në Bruksel propozoi ‘traktate’ për mos-sulm dhe për zëvendësim të CEFTA-së, të cilat, sipas tij, u injoruan plotësisht dhe me të drejtë nga ana e BE-së.

“Fatkeqësisht, dialogu për njohje reciproke degradoi në dialog për tabela të veturave, sado e rëndësishme që është kjo çështje. Në takimet e Komisionit për Stabilizim-Asociim, të mbajtura në Prishtinë në nëntor 2021 dhe në Bruksel në mars 2022, mazhoranca qeverisëse në Kosovë u zotua për zbatim të marrëveshjeve paraprake të dialogut, të cilat brenda Kosovës i kritikon dhe i kundërshton fuqishëm”, ka shtuar Hoti, i cili ka drejtuar Qeverinë e Kosovës deri në ditën kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jolegal votimin e Qeverisë së drejtuar prej tij.

“Ndërkaq, tani kur duhet marrë përgjegjësi shtetërore dhe duhet treguar seriozitet para partnerëve, nuk dinë çfarë të thonë”, ka theksuar Avdullah Hoti.