Avdullah Hoti dhe Jan Braathu

Hoti priti në takim ambasadorin Jan Braathu

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, fillimisht ambasadori Braathu uroi kryeministrin Hoti për marrjen e detyrës së re, duke theksuar gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në dobi të forcimit të institucioneve demokratike të vendit si dhe të qeverisjes së mirë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se në këtë takim, u bisedua për gjendjen e përgjithshme politike në Kosovë si dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Kurse, Hoti, falënderoi Ambasadorin Braathu për përkrahjen e OSBE-së për institucionet e Kosovës, duke theksuar vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë në avancimin e proceseve, në të cilat mbështetja e OSBE-së është mjaft e rëndësishme.