Hoti priti në takim ambasadorët e BE-së, ua shpalos platformën për dialog

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Sipas një komunikate për media, Hoti i falënderoi ambasadorët e Bashkimit Europian për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës vendet e BE-së për menaxhimin e pandemisë Covid 19, si dhe i njoftoi ata për masat që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës në rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e shkaktuara si pasojë e kësaj pandemie.

Po ashtu, Hoti shpalosi platformën  e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë. Ai ritheksoi se parimet mbi të cilat do ta vendosim këtë proces janë integriteti territorial i Kosovës, që, siç tha ai, është i panegociueshëm, karakteri unitar i shtetit të Kosovës, ndërsa marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më tej, Hoti tha se Qeveria e Kosovës e ka strukturuar qasjen në këtë proces të dialogut duke e formalizuar mënyrën se si duhet të zhvillohet ai, por që objektiv kryesor, sipas tij, në gjithë këtë proces është njohja reciproke në mes dy vendeve.

Emisari i Presidentit Donald Trump dhe emisarit Richard Grenell, njoftoi për një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me liderët nga Kosova dhe Serbia, një ditë para se në Kosovë do të vinte i dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kosovën në këtë takim do ta përfaqësojë kryeministri, Avdullah Hoti së bashku me presidentin, Hashim Thaçi.

Dialogu Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është pezulluar, që nga koha kur ish-kryeministri kosovar Ramush Haradinaj, vuri tarifën 100% ndaj mallrave serbe, në nëntor të 2018-ës.