Hoti pret në takim shefin e ri të zyrës së BE-së, kërkon liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takimin e parë njoftues shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesin e ri të Posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, krahas kësaj thuhet se Hoti ka shprehur gatishmërinë e kabinetit qeveritar që ky bashkëpunim “të thellohet dhe të zhvillohet në frymën e respekti dhe komunikimit të drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet”.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është synim yni strategjik. Andaj, do të jemi të hapur dhe bashkëpunues në vazhdimësi për ta implementuar agjendën tonë të integrimit”, citohet të ketë thënë Hoti, duke shtruar edhe çështjen e liberalizimit të vizave “duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për këtë çështje”.

“Ne vërtet jemi të interesuar që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me të gjitha vendet e BE-së, sidomos me ato që kanë hezitime, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës”, shtoi Hoti.

Më tej thuhet se në këtë takim, është diskutuar edhe për vazhdimin e punës së përbashkët në të gjitha fushat e bashkëpunimit që janë identifikuar deri tash, si dhe u konfirmua gatishmëria e të dyja palëve për t’i çuar përpara proceset e bashkëpunimit.

Ndërsa, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Tomas Szunyog, bëhet e ditur se ka pohuar angazhimin e tij për t’i vazhduar marrëdhëniet e mira dhe funksionale me institucionet e Republikës së Kosovës.

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian”, theksoi Szunyog duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë angazhimin për mbështetjen e agjendës evropiane të Kosovës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Po ashtu, tutje Tomas Szunyog foli edhe për planin e investimeve të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar rajonin për rimëkëmbjen ekonomike, me qëllim të tejkalimit të pasojave të shkaktuara nga pandemia COVID-19.