Avdullah Hoti - LDK

Hoti premton mbi 1 miliard euro për rimëkëmbje ekonomike me qeverinë e re

I nominuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë se me mbi 1 miliard euro do të mobilizohen për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së re.

Ai përmens një postimi në rrjetin social facebook, ka shkruar se një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.

“Në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar ”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës.

Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje sipas Hotit, do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re.

“Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”, tha ai.