Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti në tubimin elektoral në Istog, më 4 shkurt 2021, Foto: LDK

Hoti premton heqjen e vizave dhe përfundimin e dialogut këtë vit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti ka premtuar se gjatë vitit 2021 dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohje reciproke dhe do sigurohet edhe liberalizimi i vizave.

Këtë premtim ai e dha në tubimin elektoral në komunën e Istogut.

“Viti 2021 do të mbyllet me marrëveshje ndërkombëtare për të përmbyllur së pari procesin e dialogut, për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet me fqinjin tonë, me njohje reciproke. Viti 2021 do të mbyllet me ndihmën e miqve tanë, familjes tonë politike, partive popullore evropiane me liberalizim të vizave”, tha Hoti.

Liberalizimi i vizave është premtuar në vazhdimësi nga politikanët kosovarë, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk e gëzon liberalizimin e vizave.

Fushata zgjedhore ka nisur të mërkurën më 3 shkurt dhe do të zgjasë deri më 12 dhjetor. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.