Foto: Enver Hoxhaj/Facebook

Hoti pranon detyrën e zëvendëskryeministrit nga Hoxhaj

Tashmë ish-zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë Haradinaj, Enver Hoxhaj edhe zyrtarisht ia ka dorëzuar detyrën Avdullah Hotit, zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë Kurti.

“Sot i dorëzova detyrën Zevendëskryeministrit Abdullah Hoti”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Hoxhaj e ka pritur Hotin në zyrën e tij për t’ia dorëzuar detyrën.

Ish-zëvendëskryeministri Hoxhaj ka thënë se e ka njoftuar Hotin me punët që janë kryer dhe ato që e presin në vazhdim.

“E urova për detyrën e re dhe e informova për punët e kryera dhe ato që e presin”, ka thënë Hoxhaj.

Dje është votuar Qeveria Kurti me 66 vota për dhe 10 abstenime.

Sot edhe zyrtarisht Kurti e ka pranuar detyrën nga ish-zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli pasi Haradinaj ka udhëtuar në ShBA për ‘Lutjet e Mëngjesit’.

Pasi Kurti e pranoi detyrën, e mbajti edhe mbledhjen e parë të Qeverisë ku i uroi ministrat për detyrën dhe përgjegjësitë e reja.