Qeveria Hoti

Hoti: Po punojmë të sigurohemi që të mos dështojmë në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur Interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Hoti ka deklaruar që SHBA-të janë në krye të listës së partnerëve të Kosovës në drejtimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Moratoriumin duhet kuptuar në frymën e koordinimit të nevojshëm që ne na duhet me SHBA-të para së gjithash, po edhe me partneret tjerë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha  Hoti.

Sipas Hotit këtë duhet parë edhe nga këndvështrimi të një afatizimi të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë e cila siç tha kryeministrit, duhet të ndodhë për njohje reciproke.

“Pavarësisht pauzimit për anëtarësim në organizata, ne nuk po e pauzojmë punën tonë për përgatitjet për anëtarësim që duhet të bëjmë, që të sigurohemi që anëtarësimet të mos dështojnë si në të kaluarën”, tha ai.

Me nënshkrimin e marrëveshjes së 4 shtatorit të këtij viti në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova u pajtua që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.