Hoti përgjigjet për mundësinë e hapjes së tregjeve të kafshëve dhe veturave

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova është para rrezikut për përballje me valën e dytë të pandemisë COVID-19.

Në seancën e sotme të Kuvendit, kryeministri u pyet nga deputeti i AAK-së, Gazmend Syla se a është paraparë hapja e tregjeve të kafshëve dhe veturave në Kosovë.

Kurse, Hoti tha se vendimet do të bazohen në rekomandimet e ekspertëve të fushës.

“Vlerësimet e Institutit (të Shëndetësisë Publike) dhe ekspertëve të fushës janë që në rastin konkret është e pamundshme që të mbikëqyrim respektimin e masave për mbrojtje nga Covid. Kjo është arsyeja pse nuk kemi marrë vendim për lirim të këtyre aktiviteteve. Tash jemi para rrezikut për disa javë që të përballemi me valën e dytë dhe duhet të jemi të kujdesshëm cilat vendime i marrim”, tha ai.

“Këto vendime, do të bazohen vetëm në rekomandimet që vijnë nga ekspertet e fushës dhe nga Instituti i Shëndetit publik”, shtoi kryeministri.