Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për videon e re të LVV-së: Propagandë për mashtrim të publikut

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të një tjetër video nga Lëvizja Vetëvendosje e titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”.

Sipas Hotit, video është propagandë për mashtrim të publikut.

“Prita se është ndonjë video që tregon sa kanë qenë investimet e jashtme, sa vende pune janë krijuar, sa është zvogëluar importi i mallrave nga Serbia, sa ka qenë rritja ekonomike, sa është reduktuar inflacioni nga politikat e Qeverisë?!Por, JO! Ishte video për të vetmën gjë që dinë ta bëjnë — propagandë për mashtrim të publikut”- ka thënë Hoti.

Lëvizja Vetëvendosje sot ka publikuar një video të titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, ku janë përmendur sipas kësaj partie, tri alternativat e dhëna nga LDK-ja për ekonominë në dy vitet e fundit.

Ndër të tjera, në video thuhet se alternativa për tërheqjen e mjeteve të Trust-it, shkatërron sistemin pensional.

“Njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti deshën ta shkatërrojnë doktorrët e LDK-së”- thuhet në videon e publikuar nga LVV.