Hoti për takimin me Vuçiqin në Bruksel: Vetëm për njohje reciproke

Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar se nesër do të mbahet takimi në Bruksel me palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Vet Hoti e ka bërë të ditur këtë me anë të një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka thënë se marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke.

“Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura. Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit”, ka shkruar Hoti.

Kujtojmë se të premten pra dy ditë më parë Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.