Hoti për ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT-in: Menaxhimi i sektorit të energjisë nga qeveria është kaotik

Deputeti i Lidhjes Demokratike e të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 40 milionë eurove për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Hoti ka thënë se me këtë vendim që nuk është sjellë në Kuvend, Qeveria po dëshmon se menaxhimi i energjisë është kaotik.

“Fatkeqësisht, po dëshmohet çdo ditë se menaxhimi i sektorit të energjisë në përgjithësi dhe i krizës në veçanti nga ana e Qeverisë është kaotik. Në mungesë të vendimeve adekuate, sot i gjithë sektori energjetik është në situatë tepër të vështirë”, ka shkruar Hoti në facebook.

Ai po ashtu ka përmendur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të furnizimit me energji, vitin e kaluar, për të cilin tha që ka qenë vendim i vonshëm.

“Dimrin e kaluar, emergjenca energjetike u shpall në fund të dhjetorit, kur ishte tepër vonë për të intervenuar. Ndërkaq, sivjet u miratua një vendim para dy jave në Kuvend, por ai nuk përmban asnjë masë konkrete, përveç detyrave të rregullta që duhet të kryejë KEK-u pavarësisht këtij vendimi dhe thirrjeve për kursim të energjisë”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, procesi i rishikimit të tarifave nga ZRrE-ja në fillim të këtij viti krijoi kaos, sidomos pas një serie të vendimeve gjyqësore dhe paqartësisë dhe vonesave të Qeverisë lidhur me reagimet ndaj krizës energjetike.

“Sot kompanitë kryesore energjetike, si KESCO, KEDS, KEK dhe KOSTT, kanë borxhe ndaj njëra tjetrës. Ato e kanë të vështirë të kryejnë edhe obligimet e tyre të rregullta, e lëre më të blejnë energji paraprakisht për dimër dhe të përgatiten për krizën që na pret”, ka shkruar ai.

Hoti i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë alternativat me qymyr ose gaz për energji elektrike.

“Furnizimi me energji nuk zgjidhet me bateria, pasi ato ndihmojnë vetëm në stabilitetin e sistemit. Furnizimi stabil afatgjatë sigurohet me ndërtim të kapaciteteve të reja, të cilat mund të jenë me qymyr ose me gaz. Alternativa me gaz ka qenë e gatshme në qeverinë e kaluar, por fatkeqësisht u injorua për motive që i dinë ata që e injoruan atë alternativë”, ka thënë ai.

Sot qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 40 milionë eurove për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT).

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli ky vendim është marrë në mënyrë që KOSTT të mund ti mbuloj obligimet që ka ndaj marrëveshjes më ENTSO-E.

Sqarimi i ministres Rizvanolli për ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT-in