Hoti për marrëveshjet ndërkombëtare: Na hap rrugë me pagesat e masave për të papunë dhe biznese

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti e ka konsideruar shumë të rëndësishëm që Kuvendi të miratojë sot buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi.

Pasi që kjo sipas Hotit, do t’i hapte rrugën pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese.

“Është tepër e rëndësishme që sot Kuvendi të miratojë buxhetin e rishikuar për 2020, si dhe të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare për grante dhe kredi. Kjo na hap rrugë për të vazhduar me pagesën e masave të mëhershme për të papunë dhe biznese, si dhe për të nisur zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. Fondi për rimëkëmbje ekonomike prej 385 mil euro është pjesë e këtij buxheti”, ka shkruar Hoti në rrjetin social “Facebook”.

Kuvendi i Kosovës edhe në herën e tretë nuk ka arritur që të kalojë pesë marrëveshjet ndërkombëtare financiare.

Mungesa e kuorumit bëri që këto marrëveshje të mos mund të miratohen.

Për projektligjet në fjalë, votuan vetëm 75 deputetë, përderisa për kalimin e tyre duhen 80 vota për.

Sërish dështon miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend