Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti për Kurtin: Politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se shkuarja e sotme e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për të diskutuar për çështjen e asociacionit “është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”.

Për Hoti, sot është e pakuptueshme sesi qeveria negocion asociacionin pa marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme e me njohje reciproke.

“Pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin”- ka shkruar Hoti në facebook.

Tutje Hoti është shprehur skeptik për epilogun e takimit të sotëm në mes të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria”- ka theksuar ai.

Sot në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët.

Takimi i përbashkët do të fillojë nga ora 18:00.

Në njoftim bëhet e ditur se palët pritet të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës.

Pika e dytë e rendit të ditës pritet të jetë diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit, i cili është përpiluar nga ekipi menaxhues.

Detaje rreth takimit Kurti-Vuçiq sot në Bruksel