Hoti për fjalimin e Nagavcit: Është më i ligu që kam dëgjuar ndonjëherë në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është përplasur verbalisht me nënkryetaren e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pasi kjo e fundit gjatë fjalimit të saj tha se të pagjeturit i barazuan me të zhvendosurit brenda territorit në zotimet e 4 shtatorit në Uashington.

Ndaj deklaratave të Nagavcit, Hoti në foltore deklaroi se ky është fjalimi më i ligë që ka dëgjuar në Kuvendin e Kosovës.

“E dëgjova me kujdes, dhe po merrja shënime se si t’i përgjigjem. Por me lejoni të them që ky është ndër fjalimet më të liga që kam dëgjuar në këtë Kuvend prej se jam këtu si deputet apo ministër përpara juve”, ka thënë ai.

Nagavci u kundërpërgjigj se i ligë është që kryeministri u ka bërë të pagjeturve kur ka nënshkruar në Uashington duke i barazuar me të zhvendosurit.

“I ligë dhe i dëmshëm është dëmi që ju i keni bërë të pagjeturve kur keni nënshkruar një paragraf të 4 shtatorit dhe keni barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit. I ligë është situata në raport me familjet e të pagjeturve. Është mirë t’i dëgjoni familjarët e të pagjeturve dhe nënave të tyre”, u shpreh ajo.

Kuvendi i Kosovës po mbanë punimet me pikën e tretë rendit të ditës që është interpelanca e kryeministri Avdullah Hoti për çështjen “trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.

Hoti mohon se tema e të pagjeturve është kushtëzuar me personat e zhvendosur në zotimet në Uashington