Hoti për çantën e vjedhur në Bruksel: Hetimi policor nga ana belge ende nuk është përmbyllur

Ariana Musliu Shoshi nga PDK-ja ka kërkuar sqarim nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, për vjedhjen e çantës së ekspertit Muhamet Mustafa, në Bruksel, në të cilën sipas saj kishte dokumentacion zyrtar, i cili do të përdorej në bisedimet Kosovë Serbi.

“Muhamet Mustafa në cilësinë e ekspertit në bisedimet me Serbinë gjatë drekës në një restorant iu është vjedhur çanta në të cilën kishte dokumentacion zyrtar të natyrës sensitive që kryesisht janë përdorur, ose do të përdoreshin në bisedimet Kosovë – Serbi”, tha ajo.

Hoti tha se në mënyrë më transparente kjo çështje është raportuar tek autoritetet përkatëse belge.

“Zyrtarët tanë të Ambasadës në Bruksel janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet belge për ndriçimin e gjitha rrethanave lidhur me këtë çështje”, tha Hoti.

Hoti tha se edhe profesori Muhamet Mustafa është deklaruar publikisht që çanta ishte personale.

Hoti e ka përjashtuar mundësinë se në çantë kishte dokumente sekrete.

“Është konstatuar se në çantën e vjedhur nuk ka pas asnjë dokument sekret publikimi i të cilave e ka dëmtuar, ose do të mund të dëmtonte punën e delegacionit dhe vendit tonë. Deri sa dokumentet janë gjetur hetimi policor nga ana belge ende nuk është përmbyll përfundimisht”, tha Hoti.

Hoti tha se është njoftuar me kohë për këtë ngjarje dhe vazhdon të mbetet i informuar.

Anëtarit të delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, i vidhet çanta në Bruksel