Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot ka mbajtur tubim zgjedhor në qytetin e Vushtrrisë.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Avdullah Hoti, ka thënë se letra që Biden ia dërgoi presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq për t’i kërkuar  njohjen e Kosovës ka vulosur edhe një herë miqësinë me ShBA-në.

“Sot ishte një letër e presidentit të SHBA-së që e vulosi miqësinë tonë. Besoj që jemi të bekuar me këto miqësi që kemi si qytetarë të Kosovës, është kohë fushate dhe ne nuk i promovojmë sa duhet punët tona dhe kjo nuk dua të përdoret në kohë fushate. Jemi përballë me sanksione ekonomike, politike, me paralajmërimin e tërheqjes së trupave amerikane por e kemi përmbyllë vitin me vendimin që e bën ushtrinë tonë pjesëmarrëse në misione paqeruajtëse bashkë me amerikanët”, tha Hoti.

Duke folur për qeverisjen e LDK-së, Hoti përmendi edhe kundërshtarët e tij politikë, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e LLV-së, Albin Kurtin, duke ‘ironizuar’ me vizitën e tyre në veri të Mitrovicës.

“Nuk shkojmë në veri për të rrahur gjoks, por që të gjitha komunat e Kosovës të jenë të barabarta në zhvillimet ekonomike dhe politike”, vazhdoi Hoti.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili po ashtu vjen nga LDK ftoi qytetarët e kësaj komune që të votojnë këtë parti.

“Vetëm qeverisja jonë arrin të punojë në interes të qytetarëve, prandaj ju ftoj që më 14 shkurt, pavarësisht pakënaqësive të vogla që mund t’i kemi, ju ftoj të qëndrojmë në frymën e Rugovës dhe LDK-së”, tha Tahiri.

Më 30 janar, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u. d. presidentja e vendit, Vjosa Osmani, qëndruan për një vizitë në veri të vendit.

Por, atje nuk janë pritur mirë nga një grup serbësh që jetojnë në këtë zonë. Në një video që e ka siguruar KALLXO.com ata dëgjohen duke e sharë e fyer në adresë Kurtit e Osmanit.

Kurti e Osmani pengohen gjatë një vizite në Mitrovicën Veriore – VIDEO