Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Nuk kemi vija të kuqe

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti shpreson në ndihmën e Shteteve të Bashkuara, që të kapërcej ‘trandjen’ që mund të ketë shkaktuar vendimi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

 

Kryeministri në detyrë, Hoti, i cili ka qenë pjesë e dy qeverive të rrëzuara të dala nga legjislatura e fundit e kuvendit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vaksina e Pfizerit kundër COVID-19 do të vijë gjatë muajit shkurt.

Në këtë intervistë, Hoti thotë se asnjë qeveri nuk mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Uashingtonit. Ai flet edhe për koalicionet e mundshme, duke thënë se në parim, LDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë pari.

Hoti po ashtu premtoi depolitizim të stafit të misioneve diplomatike të Kosovës dhe zgjerim të rrjetit diplomatik, ndërkaq dialogun e Brukselit konsideron se LDK-ja e “ka strukturuar”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, LDK-ja ishte pjesë e dy qeverive në legjislaturën e kaluar, që të dyja u rrëzuan. Të parën e rrëzuat ju me mocion mosbesimi, të dytën Gjykata Kushtetuese. Pse duhet besuar sërish LDK-ja në këto zgjedhje, pse duhet votuar?

Avdullah Hoti: Sepse e ka programin më të mirë, sepse historikisht (LDK-ja) i ka vendosur interesat e shtetit të Kosovës dhe interesat e qytetarëve, përpara interesave partiake. Nëse i shihni të dy qeveritë paraprake, përpara neve, në mënyrën se si jemi sjellë njëherë në opozitë dhe pastaj në qeverinë paraprake, do ta shihni që njëherë janë interesat shtetërore që i kemi vendosur përpara.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë opsionesh kanë mbetur për LDK-në? Sigurisht që ju garoni për partinë tuaj, jo për të tjerat, por a e konsideroni sërish ndonjë koalicion eventual me Lëvizjen Vetëvendosje, me të cilën e kishit lidhur besën në zgjedhjet e kaluara?

Avdullah Hoti: Tash, jemi duke punuar që ne të dalim të parët në këto zgjedhje dhe kemi shanse shumë të mira që ne të dalim të parët, e pas saj duhet konsideruar pastaj cilat janë opsionet për të formuar qeverinë e re dhe institucionet e reja.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë në këtë fazë nuk përjashtoni asnjë mundësi që mund të jeni pjesë e ndonjë koalicioni më të gjerë?

Avdullah Hoti: Në parim, ne nuk kemi vija të kuqe. Punën që po bëjmë është që ne të komunikojmë me qytetarë, me biznese, me të gjitha kategoritë, grupet e qytetarëve, që të marrim besimin e tyre për të dalë të parët në këto zgjedhje. Dhe pastaj, do të ulemi me të gjithë spektrin politik që të arrijmë dakordimet e nevojshme, mbi bazat programore gjithmonë, për të formuar institucionet e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Thatë që LDK-ja ofron alternativën më të mirë për shtetndërtim, për mirëqenie ekonomike. Po, cilat janë pikat kryesore që ju bëjnë juve me të veçantë sesa të tjerët?

Avdullah Hoti: Besoj që kësaj radhe është pak më ndryshe, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, kur ke pasur ndoshta alternativa të ndryshme. Kësaj radhe, LDK-ja është alternativa e vetme qeverisëse në vend sepse asnjëri nga kandidatët e tjerë, nga partitë e tjera, nuk i keni dëgjuar duke prezantuar program për arsim, se si do të reformohet arsimi, çfarë do të bëhet me shëndetësinë, si do t’i qasemi politikës së jashtme, si do t’i qasemi procesit të dialogut, si do të merremi me problemet ekonomike dhe sociale që i ka shkaktuar pandemia. Nuk keni dëgjuar prej kandidatëve të tjerë. Ndërkohë që ne, përpara se të hyjmë në fushatë, gjashtë ditë radhazi kemi organizuar prezantime veç e veç për secilën prej këtyre fushave dhe i kemi treguar alternativat, opsionet, politikat tona para qytetarëve.

Vaksinat e Pfizerit “vijnë gjatë shkurtit”

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse jeni ende kryeministër në detyrë, pse nuk erdhi ende vaksina për koronavirus? Patët paralajmëruar së bashku me ministrin në detyrë, Armend Zemaj se do të vijë në muajin shkurt. Ku jemi në këtë proces?

Avdullah Hoti: Kështu janë planet tona, pritjet tona që sasitë e para të vijën gjatë muajit shkurt, në bazë të negociatave që kemi bërë me kompaninë Pfizer dhe presim mandej në mars, në prill eventualisht, të marrim atë 20% siç e marrin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kemi përgatitur planin, strategjinë e imunizimit, ku janë të përcaktuara kategoritë, grupmoshat, individët që do të vaksinohen sipas prioriteteve. Dhe ashtu si vijnë sasitë e vaksinave, ashtu shpërndahen në të gjithë Kosovën. Janë përcaktuar lokacionet dhe detajet e tjera. Do të shkojmë në fakt deri me ditë, me emër dhe mbiemër, kur do të vaksinohet, sipas listës së prioritetit.

Radio Evropa e Lirë: Pra, po thoni se keni marrëveshje me Pfizerin dhe se vaksinat do të vijnë gjatë këtij muaji?

Avdullah Hoti: Kështu janë pritjet tona, në bazë të vendimeve që kemi marr dhe negociatave që kemi bërë me kompaninë.

Radio Evropa e Lirë: A keni shqetësim për vaksinën tjetër, atë të Oxford-it, e cila megjithatë duket se nuk e ka efektin çfarë duhet të ketë te mosha 65 plus?

Avdullah Hoti: Ne po mundohemi t’i ndjekim të njëjtat protokolle që i ndjekë Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian dhe organizatat relevante, sa i përket përcaktimit se cilën prej vaksinave e përdorim.

Radio Evropa e Lirë: Në tubimet e LDK-së, por edhe të partive të tjera, shihet që masat kundër COVID-19, të cilat janë miratuar nga qeveria e juaj, nuk po respektohen. Çfarë mesazhi po u dërgohet qytetarëve?

Avdullah Hoti: Të them të drejtën, unë personalisht po mundohem në maksimum me ekipin tim, që të kërkoj respektimin e masave, por ka situata nganjëherë që ato masa nuk po mund të respektohen. Po bëj thirrje që së paku të vendosen maskat, të mbahet distancë, por nganjëherë po është e pamundur që të ndalohen qytetarët që të vijnë në tubime./REL