Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryeministri Avdullah Hoti tha se nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

“Kemi garancitë që Asociacioni nuk ka kompetencë ekzekutive. E kemi hequr nga tavolina idenë e shkëmbimit të territoreve. Nuk flet askush për këtë temë. Nuk ka Asociacion me kompetenca ekzekutive. Nuk kam ndërruar mendje, nuk kam kurrfarë presioni”, tha Hoti  në konferencë për media.

Sipas tij, Asociacioni do të jetë siç ka thënë Gjykata Kushtetuese.

Hoti tha se Asociacioni është temë e mbyllur me Marrëveshjen e vitit 2013.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.