Qeveria Hoti

Hoti nis raportimin në Kuvend, thotë se marrëveshja me Serbinë duhet të rezultojë me njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka nisur raportimin e tij në Kuvend pas marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator në Uashington, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Hoti përsëriti se marrëveshja përfundimtare duhet të kulmojë me njohje reciproke.

“Më lejoni të ripërsëris. Qeveria e Kosovës udhërrëfyes për arritjen e marrëveshjes përfundimtare që duhet të kulmojë  me njohje reciproke mes dy vendeve ka platformën e parimeve dhe objektivave. Këto parime bazohen, burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Sipas Hotit, parimet janë të thjeshta dhe të drejtpërdrejta.

“E para intergriteti territorial është i panegociueshëm, e dyta që organizimi kushtetues është i panegociueshëm dhe sistemi unitar i Kosovës nuk mund të preket dhe e treta që marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha kryeministri.

Hoti tha se besojnë që respektimi i këtyre parimeve i udhëheq drejt një procesi të strukturuar të dialogut.

“Marrëveshja për paqe mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rezultojë me njohje reciproke. Nuk do të ketë zgjidhje kreative por zgjidhje për njohje reciproke”, tha ai.

Hoti shtoi se nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë.