Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti nga Peja: Do të vazhdojmë përkrahjen për të rinjtë

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur gjatë ditës së sotme takim me të rinjtë në Komunën e Pejës.

“Modeli i qeverisjes në Pejë, është modeli që ju të rinjtë e meritoni, kjo bëhet nga njerëz me integritet dhe profesionalizëm të lartë, që i ka vetëm familja jonë politike.Puna dhe përkushtimi ynë për të rinjtë është shumë i madh, rinia jonë është e pastër dhe nuk duhet të përdoret për ekstremizëm politik”, ka shkruar Hoti në postimin e tij në facebook.

Sipas Hotit, LDK ka platformën e qartë për të rinjtë sikurse ka pasur pjesë të veçantë të pakos për rimëkëmbje, grante për rininë.

“Do të vazhdojmë përkrahjen për të rinjtë me punë praktike, qasje më të lehtë në kredi dhe me fonde nga ministritë përkatëse”, ka shkruar Hoti.

Në fotografitë e postuara nga Hoti shihet se në tubim thuajse të gjithë pjesmarrësit janë të pajisur me maska mbrojtëse.

Para tri ditëve, KALLXO.com ka raportuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur me 2 mijë euro për shkak të organizimit të tubimeve në Prishtinë, në kundërshtim me masat kundër COVID-19.