Qeveria Hoti

Hoti nesër në interpelancë lidhur me shfuqizimin e Task-Forcës kundër korrupsionit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është thirrur në interpelancë në Kuvendin e Kosovës.

Interpelanca do të mbahet të premten, në orën 15:00.

Thirrja për interpelancën e Hotit është bërë me kërkesë të tetë deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me shfuqizimin e Task-Forcës anti korrupsion në Policinë e Kosovës.

Kjo seancë e Kuvendit e ka vetëm një pikë të rendit të ditës.

Qeveria e Kosovës e ka shuar Departamentin Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Departament Special Anti-Korrupsion ishte themeluar në shkurt të vitit 2010 në bashkëpunim me EULEX-in, në kohën e Qeverisë Thaçi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kërkon nga Prokuroria Speciale e Kosovës që në kuadër të saj të themeloj, një Departament Special Anti-korrupsion, me qëllim të hulumtimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë”, thuhej në pikën 1 të vendimit të 2010.

Në këtë Departament kanë qenë të përfshirë 8 prokurorë, 30 hetues policorë dhe 5 ekspertë që kanë pasur përgatitje dhe eksperiencë në fushën e tatimeve dhe dukurive të tjera negative.