Foto: KALLXO.com

Hoti: Nëse posti i presidentit nuk përfshihet në marrëveshje, s'ka koalicion LDK-LVV

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për bisedimet që janë duke zhvilluar partia e tij me Lëvizjen Vetëvendosjen rreth mundësisë së formimit të koalicionit qeverisës.

Hoti në një emision në T7 deklaroi se nëse posti i presidentit nuk përfshihet në bisedime për koalicion me LVV-në, atëherë sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje LDK-LVV.

Ai tha se për postin e presidentit, LDK-ja nuk i ul standardet e saj.

“Ata mendojnë që ne eksperimentojmë me postin e presidentit. Çfarë problemi kanë Kurti eL VV-ja që ta votojnë një kandidat të LDK- së për president?’, tha ai.

“Nëse e arrijmë marrëveshjen për kandidatin për president, ministra, zëvendësministra ne do të bëjmë të ditur se cilët janë propozimet tona”, u shpreh Hoti duke mohuar se kanë kushtëzuar LVV-në.

Ai më tej deklaroi se nuk po kushtëzojnë me postin e presidentit por që kjo ka qenë e shënuar qysh nga fillimi në ‘draft-marrëveshjen’ mes dy palëve.

Hoti tha se deri më 26 dhjetor mund të arrihet marrëveshja, pasi që në të kundërtën do të ishte ‘mesazh i keq’.

KALLXO.com ka raportuar të shtunën se zyrtarja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se posti i Kryeparlamentarit e sidomos ai i Presidentit nuk duhet të diskutohet në kuadër të bisedimeve për harmonizimin e programit qeverisës.

Ajo tha se deri sa të ketë barrikadime nuk mund të ketë koalicion, pasi që sipas saj, LDK-ja po barrikadon.

Haxhiu: Marrëveshja mund të bëhet sot por nuk garantojmë