Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Foto: ZKM

Hoti: Nëse nuk do të ketë zgjidhje për Presidentin, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nëse nuk do të ketë zgjidhje mes partive politike për çështjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Këtë deklaratë, Hoti e ka thënë në një takim virtual me me raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Beyer.

KALLXO.com sot ka raportuar se Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë konkrete se kur pritet të mbahet tryeza me partitë politike vendore për të diskutuar për çështjen e presidentit të ardhshëm.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Hoti me Beyer bisedoi për gjendjen e pakicave, lirinë e medias dhe zhvillimet aktuale në vend, tema këto që do të jenë pjesë e raportit ‘’Situata në Kosovë’’.

“Kryeministri Hoti ngriti edhe çështjen e Presidentit, ku theksoi gatishmërinë e subjekteve politike për të arritur një zgjidhje, ndërkohë që nënvizoi se nëse nuk do të ketë zgjidhje për këtë çështje vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, thuhet në komunikatë.

Sipas ZKM-së, temë e pashmangshme ishte edhe situata aktuale në vend, “sfidat që ka shkaktuar pandemia Covid-19 dhe masat të cilat i ka marrë qeveria deri më tani për të menaxhuar sa më mirë situatën”.

Në këtë takim u bisedua edhe për procesin e dialogut Kosovës-Serbi i cili aktualisht po zhvillohet në nivel të ekspertëve.

“Me këtë rast Kryeministri Hoti theksoi se deklaratat kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë nuk e ndihmojnë këtë proces”, vijon njoftimi.