Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti nënshkruan dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë

Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton, se nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.

“Njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Sipas njoftimit, me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional, etj.

Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, ekzekutivi kosovar vlerëson se këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.

“Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në komunikatë.

Vizita e Hotit në Francë, i paraprinë takimit mes tij dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që do të rinisë më 12 korrik.

 

Hoti takon presidentin Macron, e fton për vizitë në Kosovë