Hoti në Shkup: Pritet mbajtja e një mbledhje të përbashkët e të dy qeverive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke zhvilluar vizitën e tij të parë në Maqedoni të Veriut.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij Zoran Zaev, Hoti tha se janë duke bërë plane për mbajtjen e një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

Hoti gjithashtu e përgëzoi Kryeministrin Zaev për arritjen e marrëveshjes me Greqinë.

“Ju përgëzoj për vendimet që keni marrë si Kryeministër, në këtë drejtim arritja e marrëveshjes me Greqinë është një hap i jashtëzakonshëm dhe besoj se është një hap i mirë se si duhet të normalizohen marrëdhëniet në mbarë regjionin. Pritet të mbahet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive sapo të kalojnë këto rrethana me pandeminë në të cilën do diskutojmë më shumë për marrëveshjet tona të përbashkëta,” ka thënë Hoti.

Hoti gjithashtu ka folur edhe për idenë e homologut të tij për një pikë të përbashkët kufitare dhe ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë e përmendur nga Zaev.

“Ju keni bërë një rrugëtim të gjatë për 30 vite si shtet në reformat e ndërmarra, duke e renditur vendin tuaj si reformatorët kryesor në nivel botëror. E mirëpres idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar, ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë si dhe lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup,” ka shtuar tutje Hoti.