Foto: ZKM

Hoti në Samitin e Parisit: Marrëveshja me Serbinë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka marrë pjesë në Samitin e Parisit, i cili është zhvilluar online, me video-konferencë.

Në këtë Samit, kryeministri Hoti ka folur në lidhje me dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

Kryeministri ka ngritur disa çështje në këtë Samit siç është integriteti territorial i Kosovës dhe organizimi Kushtetues i shtetit të Kosovës.

“Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm, pasi është premisa kryesore mbi të cilën themelohet Republika e Kosovës dhe qëndron fort. Shkelje e këtij parimi shkon kundër parimeve dhe vlerave themelore të BE-së. Si i tillë është i papranueshëm”, ka thënë Hoti.

Ai ka përmendur organizmin kushtetues të Kosovës, duke thënë se nuk mund të ndikohet, pasi si i tillë garanton funksionimin demokratik të autoriteteve dhe mëshiron parimin e shtetit qytetar e jo të organizuar përgjatë linjave etnike.

“Prandaj, ndërhyrja në karakterin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte mënyra më e shkurtër për të de-funksionalizuar shtetin e Kosovës dhe për ta shpallur atë të paqëndrueshme. Kjo nuk mund të ndodhë”, ka thënë Hoti gjatë Samitit.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe objektivat që do të dalin nga arritja e marrëveshjes, e që sipas tij duhet të jenë njohja reciproke, njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, përsonat e humbur, viktimat e dhunës e dëmet e luftës.

“Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi Marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe shtruar rrugën për të dy vendet për integrimin në BE”, ka thënë Hoti.

Kryeministri i vendit ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që sipas tij, duhet të jetë pjesë e marrëveshjes dhe ka përmendur anëtarësimin e shtetit tonë në organizatat ndërkombëtare.

“Ndjekja e anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi ynë dhe apeli ynë krahas këtij procesi”.

Hoti ka thënë se bazuar në këto parime dhe objektiva, Kosova është e gatshme të jetë një partner konstruktiv dhe bashkëpunues në dialog, për arritjen e një Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese.

Në këtë Samit online mori pjesë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i ndërmjetësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Emanuel Macron.

Ky samit i paraprinë takimit tjetër mes Hotit dhe Vuçiq në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që do të rinisë më 12 korrik.