Hoti në Pejë, thotë se do të promovojnë turizimin malor në bjeshkët e Rugovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës në Komunën e Pejë bashkë me zyrtarë nga kabineti i tij ka thënë se kanë diskutuar për bashkërendimin e aktiviteteve për të luftuar pandeminë.

“Erdhëm sot në Pejë për të diskutuar me kryetarin e komunës për bashkërendimin e aktiviteteve dhe për të ndërtuar ato strukturat e nevojshme për të luftuar pandeminë dhe për të ndarë opinionet tona se si do të jenë të përfshira komunat në fondin për rimëkëmbje ekonomike që është pjesë e buxhetit tanimë prej 384 milionë euro”, tha ai.

Hoti shtoi se do të vazhdojë bashkë një ecje në bjeshkët e Rugovës si formë e promovimit të turizimit malor.

Sipas Hotit, Peja është vendi kryesor në Kosovë që ofron turizmin malor.

“Do të shkojmë nga një bujtinë në tjetrën për të promovuar resurset malore në bjeshkët e Rugovës dhe për të biseduar edhe me pronarët e atyre bujtinave për mbështetjen që duhet t’ju japim atyre për të gjallëruar aktivitetin ekonim në bjeshkët e Rugovës”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës Gazment Muhaxheri tha se e kanë njoftuar kryeministrin për sfidat me të cilat po përballen si komunë.

“E njoftuam për gjendjen aktuale në komunën e Pejës me sfidën që po përballemi me virusin corona dhe me problemet ekonomike që i ka komuna e Pejës dhe bizneset që operojnë në komunën e Pejës”, tha ai.