Hoti: Në janar fillojnë bisedat për të bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami vizituan Bankën qendrore të Kosovës.

Hoti falënderoi BQK-në për bashkëpunim që nga fillimi i pandemisë, duke shtuar se 60% e kredive janë shtyer dhe riorganizuar për bizneset.

“Falënderoj BQK-në për bashkërendimin e plotë të aktiviteteve që nga fillimi i pandemisë. 60 për qind të kredive janë shtyer dhe riorganizuar për bizneset. Është informatë e mirë që edhe fondet pensionale po veprojnë mirë duke i kthyer disa humbje që i kanë marrë në të kaluarën”, ka thënë Hoti.

Kryeministri tutje shtoi se të gjitha masat do bashkërendohen me BQK-në.

Hoti theksoi se në janar do fillojë bisedat për ta bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër.

“Është më se e qartë që me pandeminë do të përballemi edhe pas dhjetorit të këtij viti, masat e reja për rimëkëmbje ekonomike do të ridizajnohen në bashkëpunim me BQK-në. Në janar së bashku me BQK-në do të fillojmë bisedat e nevojshme për të bërë Kosovën pjesë të Kartonit të Gjelbër. Po përmbyllet një vit me stabilitet të mirë të sistemit bankar”, theksoi Hoti.