Hoti: Në Bruksel po bisedohet për elemente të marrëveshjes përfundimtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është duke raportuar në interpelancë parlamentare në lidhje me zhvillimet në procesin e dialogut.

Hoti ka thënë se në Bruksel ekskluzivisht është duke u biseduar për elementet e marrëveshjës përfundimatare dhe se për asgjë nuk ka dakordim.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka shtuar se sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave serbe, ato nuk do të diskutohen.

“Sot jam pranë jush më kërkesë të deputetëve të PDK-së për të ju njoftuar për procesin e dialogut në Bruksel. Ky është raportimi i katërt që e bëj në Kuvend rreth dialogut, tre të parët janë bërë edhe me kërkesën time. Kjo është dëshmi për transparencë. Në Bruksel negociohet për elemente të marrëveshjes përfundimtare. Nuk ka dakordim për asgjë. Në raundet deri më tani janë  si në nivelin e koordinatorëve si në nivelin  më të lartë  është biseduar për raportet ekonomike, të pagjeturit  dhe obligimet financiare. Ndërsa janë ngritur tema si dëmet e luftës, pensionet. Qëndrimi  ynë sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, është se nuk e hapim këtë temë  në dialog pasi që ka një marrëveshje në vitin 2013 si dhe ekziston edhe marrëveshja e parimeve në vitin 2015 si dhe aktgjykimi i Gjykatës. Marrëveshja do të ofrojë zgjidhje të përhershme, unë do të punoj për to dhe vetëm për njohje reciproke”, tha ai.