Hoti: Ndriçimi i fatit të të zhdukurve në Kosovë prioritet për qeverinë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme është takuar me Këshillin Koordinues të Asociacioneve të Familjarëvë të të zhdukurve të Kosovës.

Në këtë takim, Hoti tha se prioritet i qeverisë është zbardhja apo ndriçimi i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

Përveç zbardhjes, Hoti ka thënë se kjo temë është një ndër pikat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.

“Ai nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Serbia obligohet të ofroj të gjitha të dhënat për vendndodhjen e varrezave masive”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Hoti theksoi gatishmërinë e Qeverisë për mbështetje të vazhdueshme në çdo formë, për të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve, duke nënvizuar se kjo çështje shumë e ndjeshme kërkon qasje serioze nga ana e institucioneve shtetërore.

“Kryeministri Hoti propozoi që takimet e këtij formati të jenë të rregullta, propozim ky i cili u mirëprit nga anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.