Foto: Avdullah Hoti/ Facebook (Video)

Hoti- Muratit: Pse s'po e zgjeroni listën e mallrave me normë të reduktuar të TVSh-së

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar në Facebook duke thënë se lista e mallrave me normë të reduktuar të TVSh-së prej 8% nuk po zgjerohet.

Sipas Hotit, kjo mund të bëhet përmes Ministrisë së Financave, i cili mund të nxjerrë akt nënligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar për të cilat mund të ulet TVSH-ja nga 18% në 8%.

“Është e pakuptueshme përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, Ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet. Dikush është dashur t’i tregojë Ministrit për këtë mundësi që ia ofron Ligji në fuqi për TVSH”,ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se këtë e mundëson Ligji i TVSh-së ndërsa është miratuar në kohën e Qeverisë Mustafa, si pjesë e pakos fiskale 1.

Sipas Hotit, ky ligj parasheh që produktet për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së janë: uji, energjia elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore.