Hoti - Muratit: Ju kisha lut me qenë serioz dhe mos me u zgërdhi, merrni përgjegjësi për Trusti-n

Një debat i ashpër është duke u zhvilluar në mes Ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e komisionit ku po diskutohet mungesa e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Deputeti Hoti ka kërkuar përgjegjësi nga ministri Murati si pjesë e komisionit vlerësues për mos zgjedhjen e bordit drejtues të FKPK-së.

“A e ndjen vetën përgjegjës”- ishte pyetja e Hotit. “Jo nuk ndihem”- u deklarua Murati.

Pas kësaj përgjigje, deputeti Hoti ka thënë se 2.5 miliardë investime në Trust kanë mbetur pa “zot shtëpie” dhe disa mjete janë investuar në banka që kanë falimentuar, sipas tij, e gjithë kjo për shkak të mungesës së anëtarëve të bordit.

Gjatë fjalës së tij Hoti iu drejtua Muratit “të lutem me qenë serioz dje mos me u zgërdhi”.

“Ministër unë e di që t`i je i papërgjegjshëm, t`i duhesh të ndihesh në faj para qytetarëve që na ka ndodh kjo situatë dhe të thuash që do të bëjmë sa më shpejtë një zgjidhje. Me pas pak përgjegjësi për menaxhimin e 2.5 miliardë eurove që nuk kanë zot, që sot të menaxhojmë ato. Do t`i publikoj paratë e Trusti-t që janë investuar në banka që kanë falimentuar. Kur flas ju kisha lut me qenë serioz dhe mos me u zgërdhi. Ti e di që unë nuk të respektoje fare”- tha Hoti.

Ministri Murati theksoi se deklarimet e Hotit për humbje në trust janë të pavërteta dhe se i njëjti me deklaratat e tij po shkakton panik tek qytetaret.

“Është totalisht jo serioze që të bëni fushatë të tillë drejt një institucioni në të cilin ruhen paratë e qytetareve. Mos hyni në fusha që nuk i kuptoni, bëhet fjalë për performancë negative rreth 1.01%”- tha Murati.

Para komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere janë thirrur në raportim, Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, Vlora Spanca, ZKA, Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Adrian Zalli, drejtor menaxhes i Trust.

Bordit drejtues të trustit i ka skaduar mandati në nëntor të 2022, por sipas ligjit me të drejtë shtyrje edhe plus tre muaj, pra që nga shkurti trusti është pa bord.

Në mars të vitit të kaluar Fehmi Mehmeti ishte njoftuar nga trusti se janë dy pozita vakante në bord.

Mehmeti ka thënë se pas kësaj me 14 mars ka dërguar email tek Murati dhe Spanca për të nisur procedurat.

Mehmeti pretendon se ka dërguar prapë email më 24 tetor dhe se atëherë ka pranuar përgjigje nga ta.

“Më 10 mars e kam pranuar një email nga trusti që janë dy pozita vakante në bordin e TRUST. Më 14 mars i kam dërguar email tek auditorja dhe ministri, por që nuk kam marrë email.  Më 24 tetor 2022 për dy anëtare dhe anëtareve tjerë, po më 28 tetor 2022 kam pranuar pëlqimin nga auditorja për të vazhduar me procedurat. Më 24 nëntor kam pranuar përgjigje nga ministri. Konkursi për anëtarë të bordit ka përfunduar me 23.12.2022 . Më 5 janar 2023 përmes emailit kam kërkuar takimin e komisionit për të diskutuar or që nga 5 janari nuk kam pranuar asnjë email “- tha Mehmeti.

Vlora Spanca tha se ajo nuk e ka pranuar emailin e 14 marsit.

“Unë nuk e kam pranuar asnjëherë emailin e 14 marsit”- tha ajo.

Spanca tha se ajo më pas kishte kuptuar se pjesë e procesit do të duhej të ishte edhe ambasada britanike, por që nuk ishin thirrur. Konkursi për anëtarë të bordit të Trustit është hapur më 2 dhjetor dhe është mbyllur më 23 dhjetor.

Sipas ligjit per fonde pensionale, Bordi Drejtues udhëheq Fondin dhe përbëhet prej tetë (anëtarëve, njëri prej të cilëve nuk ka të drejtë vote. Të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit janë fiduciarë sipas kuptimit të këtij ligji.

Komisioni për Përzgjedhje do të përbëhet nga Guvernatori i BQK-së – kryesues, Auditori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave.

Mandati i secilit anëtar të emëruar në Bordin Drejtues zgjat tre vjet, me mundësi të rizgjedhjes, nëse mandati i anëtarëve të Bordit skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk është emëruar, atëherë anëtarët e Bordit ekzistues do të vazhdojnë mandatin për 90 ditë.

(Ky artikull është edituar për shkak se në vend të emrit të Vlora Spancës (Auditore e Përgjithshme), ka dalë emri i Krenare Sogojeva Dermakut (Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi).