Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti - Muratit: Deri në prill, rishikojeni Ligjin për tatimin në pronë, ne ju mbështesim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga ministri i Financave të rishikohet Ligji për tatimin në pronë për të cilin Murati tha se është miratuar në Qeverinë Mustafa, në kohën kur ministër i Financave ishte Hoti.

“Ju sot duhet të jepni një zotim publik që kjo punë ka me marrë zgjidhje. Afati është deri më 15 prill për pjesën e parë dhe deri atëherë duhet me rishiku ligjin dhe keni pas përkrahjen tonë. Të shtyhet deri në vitin 2024 apo të përshkallëzohet”- ka thënë Hoti në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere.

Hoti ka thënë se opozita nuk e ka akuzuar Muratin për zbatim të ligjit por për menaxhim të situatës.

“Nuk të ka akuzuar askush që e ke zbatuar ligjin por për menaxhim të situatës” – ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se qytetarët janë informuar vonë për këtë rritje të çmimit.

“Ti se ke pas idenë që në janar kanë me iu dyfishu faturat e tatimit në pronë. Ministri është me vlerësua situatën. Me 31 tetor është dashtë me u kriju raporti i ri për çmimin në prona. Kjo është dashtë me u bo publike që qytetarët ta dinë që në janar ka me u dyfishu çmimi” – ka thënë Hoti

Njëjtë si Hoti, edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se ata janë të gatshëm të votojnë për të përmirësuar nenin që parasheh rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Shala ka pyetur Muratin pse nuk e kanë shty vendimin.

“Pse se keni marrë një vendim dhe me shty qoftë me një seancë të jashtëzakonshme. Pse po fshehësh mbas ligjeve që janë miratu në qeveri të Isa Mustafës. Brenda dite keni miratu ligje tjera. Mund ta hedhim poshtë raportin në parlament dhe e përmirësojmë nenin. Këtë javë s’kemi mbajt kuvend për shkak të mazhorancës, u duft me mbajt seancë edhe për vërshime edhe për ligjin”- ka thënë Shala.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në lidhje me ligjin aktual për tatimin në pronë, për të cilin tha se është në fuqi që nga viti 2018 dhe është miratuar në Qeverinë e Isa Mustafës, ndërsa Kuvendi e ka aprovuar, kur Qeverinë e kishte marrë Ramush Haradinaj.

Murati tha se ligji obligon që në vitin e pestë të zbatimit, të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Ligji aktual për prona ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj 2017,  por nuk ka kaluar në Kuvend, pasi qeveria kishte rënë një javë më vonë.  Më pastaj i njëjti ligj është procedu në Qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 ka hy në fuqi. Ky ligj ka paraparë që në vitin e pestë të hyjë në fuqi tatimimi 100%  i tokave. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethënë këtë e obligon ligji” – ka thënë Murati.

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.