Hoti: Mësimi online do të fillojë edhe në gjuhët e komuniteteve joshumicë

Kryeminsitri Avdullah Hoti sot pas miratimit të master-planit për fillimin e vitit të ri shkollor tha se mësimi online do të fillojë edhe në gjuhën e komuniteteve joshumicë.

“Mësimi do të realizohet edhe në gjuhën e komuniteteve për të mos mbetur mbrapa asnjë nxënës në tërë Kosovën sa i përket vitit shkollor” tha Hoti.

Ai tha që mësimi online do të jetë përsëri i plotë në një platformë shtesë, krahas fillimit të mësimit në shkolla.

Sot u miratua plani për fillimin e mësimit të ri shkollor.

Në bazë të këtij plani, hapja e shkollave do të bëhet me 1 shtator në tri faza për të gjitha nivelet e arsimit.

“Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator për parashkollorët dhe për klasat 1,2,3 si dhe 6 dhe 9, dhe pastaj për klasat 4 dhe 5 do të fillojë më fazën e dytë 7 shtator, kurse në fazën e tretë më 10 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7, 8, 9, 10 dhe 11,12, sipas tre skenarëve të paraqitur”, tha Likaj.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë tre skenarë të ndryshëm për fillimin e vitit të ri shkollor, në kohë pandemie, Skenari A- rikthimin në ambientet shkollore të nxënëseve, Skenari B – mësimin e kombinuar dhe Skenari C – mësimi nga platforma të ndryshme. Por, ende nuk është vendosur në mënyrë konkrete për ndonjërin.