Hoti: Mësimi online do jetë gjithmonë aktiv

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se janë duke u finalizuar opsionet për organizimin e mësimit online.

Ai gjithashtu tha se bashkë me ministrin e Arsimit, Ramë Likaj, SBASHK-un, janë konsultuar edhe me eskpertë të fushës si dhe me komunat.

“Sot, bashkë me zëvendëskryeministrat, diskutuam me Ministrin Likaj dhe bashkëpunëtorët e tij për fillimin e vitit shkollor. Ministri Likaj, me ekspertë të fushës, si dhe në konsultim me komunat, SBASHK-un, Këshillin e Prindërve dhe akterët e tjerë, është duke finalizuar opsionet për organizimin e mësimit nga data 1 shtator,” është shprehur Hoti.

Hoti tutje ka shtuar se mësimi online do mbetet gjithmonë aktiv, përfshirë fushatat informuese për nxënësit dhe mësuesit lidhur me masat mbrojtëse.

“Komunat dhe drejtorët e shkollave do të kenë udhëzime të qarta se si duhet të organizohet mësimi varësisht nga kushtet që kanë në shkollat e tyre.
– Mësimi online do të jetë gjithmonë aktiv.
– Janë duke u zhvilluar protokolle të veprimit se çfarë masa duhet të ndërmerren në çdo situatë që paraqitet.
– Do të ndërmerret një fushatë informuese për nxënësit dhe arsimtarët për masat mbrojtëse që duhet të zbatojnë,” ka shtuar tutje Hoti.

Hoti madje theksoi edhe trajnimin e mësimdhënësve si dhe angazhimi për një listë rezervë të mësuesëve sipas nevojës, duke mos lënë anash edhe inspekcionin, i cili do mbikëqyrë zbatimin e masave që do vendosen.