Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti- Merkelit: Qeveria në detyrë do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka biseduar në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku kanë diskutuar për menaxhimin e pandemisë së COVID-19, zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimin bilateral.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, kancelarja Merkel është njoftuar me masat që ka ndërmarrë ekzekutivi kosovar për minimizimin e pasojave që ka shkaktuar pandemia, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik e social.

Në komunikatë thuhet po ashtu se kryeministri në detyrë Hoti e siguroi kancelaren Merkel se Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunuese konstruktive me bashkësinë ndërkombëtare.

Hoti dhe kancelarja Merkel biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili u zhvillua mbi parime të qarta për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohje reciproke, në kufijtë aktualë. Me këtë rast, kryeministri Hoti falënderoi kancelaren Merkel për mbështetjen gjatë këtij procesi.

Kryeministri Hoti dhe homologia gjermane vlerësuan lartë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe theksuan gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral  në çdo fushë me interes të ndërsjellë.