Avdullah Hoti - LDK

Hoti: Me Vetëvendosjen jemi dakorduar vetëm për postin e kryeministrit

Pas certifikimit përfundimtar të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit pritet që qeverinë e re ta formojnë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për këtë koalicion deri më tani janë takuar disa herë krerët e këtyre partive por edhe grupet punuese për harmonizimin e programit qeverisës.

Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë dakorduar vetëm për postin e kryeministrit. Për pozitat e tjera ai tha se të gjitha janë në tavolinë.

“Asnjë nga këto dy parti nuk kanë ndonjë epërsi të madhe, qytetarët nuk ia kanë dhënë mandatin as Vetëvendosjes e as LDK-së për ta krijuar qeverinë të vetme por që vendi të udhëhiqet nga opozita e deritashme e këto dy parti të ulen e të bëjnë bashkë programet, gati të balancuar. Të balancojnë fuqinë e tyre në qeverisjen e ardhshme. Këtë kanë vendosur qytetarët. Jemi dakorduar veç për postin e kryeministrit. Të gjitha të tjerat janë në tavolinë”, ka thënë Hoti në KTV.