Avdullah Hoti. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Me vendimin e qeverisë nuk mund të paditet KEDS dhe KESCO për mosfurnizim të energjisë

Gjatë shqyrtimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish kryeministri i qeverisjes së kaluar Avdullah Hoti tha se me këtë vendim, qeveria e mbulon KEDS-in dhe KESCO-n nga paditë.

Sipas Hotit ky vendim i qeverisë që tash kërkohet të miratohet këtu në Kuvend, do të kenë pasoja bizneset, sepse sipas Hotit ata janë konsumuesit më të mëdhenj në këtë kohë të energjisë. Sipas Hotit bizneseve do t`u shtohen reduktimet dhe përtej kësaj nuk do të ketë mundësi asnjë qytetar e asnjë biznes të padis KEDS-in dhe KESKO-n për mosfurnizim të rregullt me energji elektrike.

“Dhe krejt ato thirrjet e ministres që thoshte se kushdo që ka reduktime të energjisë më shumë se 2 orë le t`i lajmërojë në polici tash ju e mbuloni KEDS-in me këtë vendim. S’mundet askush më me padit KESCO dhe KEDS për mos furnizim të energjisë. Kjo është e vërteta për gjithë këtë debat që jemi t`u e bo në Kuvend”, tha Hoti.

Më 25 dhjetor ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kishte thënë se gjatë ditëve të fundit kanë pranuar me dhjetëra raportime nga qytetarët e Republikës së Kosovës për reduktime të energjisë elektrike të cilat kanë zgjatur më shumë se dy orë.

Ajo ka thënë se duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës për të hetuar rastin.