Arkiv - Ish-Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Bruksel, 25 qershor 2020, Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti me Presidentin e Komisionit Evropian: Liberalizimi, ndër çështjet më urgjente në raport me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë takimit, kryeministri Hoti e ka njoftuar për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, siç është procesi i liberalizimit të vizave, menaxhimi i pandemisë të shkaktuar nga COVID 19, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Kryeministri Hoti theksoi se liberalizimi i vizave mbetet ndër çështjet më urgjente në raport me Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë ai.

Më tej, kryeministri Hoti vlerësoi se për Qeverinë e Kosovës përmbyllja e këtij kapitulli është shumë e rëndësishme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, sikurse edhe fqinjët e tyre, të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.

Pas vizitës në Bruksel Hoti ka pasur në agjendë shkuarjen në Washington në takimin e 27 qershorit  lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, por paraditen e sotme ka njoftuar se e ka anuluar udhëtimin për shkak të zhvillimeve të fundit në Kosovë, pas aktakzuës nga Prokuroria e Specializuar ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në Bruksel do të takohet me kryetaren e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen, kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Hoti mban takimet në Bruksel