Hoti me katër propozime për përballjen me inflacionin

Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti ka dhënë katër propozime për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin.

Në një postim në Facebook, ai ka kritikuar qeverinë aktuale për situatën me krizën dhe inflacionin.

“1. Indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit, 2. Rritja e pagës minimale në sektorin privat, 3. Ulja e TVSH nga 18% në 8% për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18% TVSH, 4. Pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë” – janë propozimet e Hotit.

Hoti ka shkruar se Qeveria po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi “edhe duke mos implementuar qindra miliona euro investime kapitale”.

“Kjo qeveri jo vetëm që nuk po ul tatimet, por po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi edhe duke mos implementuar qindra miliona euro investime kapitale. Sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës” – thuhet në publikimin e tij.

Sipas deputetit, veprimet duhet të merren menjëherë.

“Të gjitha këto masa nuk paraqesin problem për deficitin buxhetor, pasi bilanci bankar i Qeverisë është rekord i lartë. Këto veprime mund të merren menjëherë dhe jam i sigurt se e kanë mbështetjen e të gjitha palëve”- thuhet në publikimin e tij.