Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoti: Masat e sotme të Qeverisë të dobishme, por nuk e zgjidhin problemin e rritjes së çmimeve

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se masat e sotme të Qeverisë për shtesa prej 100 euro për disa kategori, janë reflektim i varfërisë së politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se masat sado të dobishme, nuk e zgjidhin problemin e rritjes së çmimeve.

Për më tepër, sipas Hotit, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.

Ky është shkrimi i plotë i Hotit në ‘Facebook’:

Vendimi i sotëm reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë për të mbrojtur standardin e jetës së familjeve. Kjo ndihmë e njëhershme prej 100 euro, sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e rritjes së çmimeve. Për më tepër, kjo ndihmë nuk përfshinë mijëra të papunë dhe ata që merren me bujqësi.

Duhet ndërmarrë masa afatgjate, të cilat i kemi propozuar kur filloi të shfaqet kriza:

(i) Nuk është dashur të rritet çmimi i energjisë.

(ii) Duhet të indeksohen përfitimet pensionale dhe sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike.

(iii) Duhet të rriten subvencionet në bujqësi.

(iv) Duhet të rritet paga minimale

(v) Duhet konsideruar tërheqjen e një shume të kursimeve pensionale”.

Sot, Qeveria Kurti ka prezantuar masa të reja mbështetëse për disa kategori në Kosovë. Sipas kryeministrit Albin Kurti, Qeveria do të ndajë nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit publik e privat.

Kurti: Do t’i ndajmë nga 100 euro për pensionistët, punëtorët e studentët