Avdullah Hoti LDK

Hoti: Masat e reja të Qeverisë Kurti për reciprocitetin nuk i ndihmojnë Kosovës

I mandatuari nga radhët e Lidhjes Demokratike për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë për reciprocitetin nuk e ndihmojnë vendin.

Hoti ka shkruar në Facebook se Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës, duke hequr çdo pengesë për dialog.

Sipas tij, vetëm përmes këtij koordinimi, avancohet pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ky është shkrimi i tij i plotë:

“Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin, por e kurthojnë atë. Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore.Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë.Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”

Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, në mbledhjen e saj të djeshme, ka marrë vendim për masa shtesë të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Vendimi i ri parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Qeveria Kurti merr vendim për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë